Edhe gjyshja e Spaletit e di se “ku i pikon çatia” Interit

Barazimi 1-1 në fushën e Fiorentinës nuk mund të quhej një rezultat i keq, por shqetësimet e Interi nuk u larguan aspak. Trajneri Luçiano Spaleti, nga një magjistar, po ngjan në një njeri që e ka humbur busullën, ndonëse ai nuk i harron batutat. “Deri edhe gjyshja ime 80-vjeçare dhe që jeton e mbyllur në shtëpi, e di se më mungon një qendërmbrojtës, – tha ai, – kjo është e qartë. Ne nuk jemi sa duhet në qendër të mbrojtjes”. Spaleti tregoi se Ranokia nuk ishte mirë fizikisht, por luajti nga halli sepse të tjerët janë të dëmtuar.

Duket se trajneri “po i bie derës që të dëgjojë penxherja”, pra të dëgjojnë drejtuesit e Interit dhe të bëjnë lëvizje tani në janar, aq sa janë në kohë, ndryshe sezoni mund të shkojë më keq. Nuk dihet nëse Spaleti po mendon për ndonjë mbrojtës qendre, apo nëse Interi e ka bilancin në rregull që të shpenzojë tani në janar.

Sfidanti.al