Tani, është pothuajse e sigurt se Frank De Buri i ka ditët e numëruara tek Interi, pas humbjes tjetër që ai pësoi dhe kryesia e klubit interist po pret kohën e duhur që të njoftojë shkarkimin e trajnerit holandez. Askush nuk beson më se De Buri do të mund të ndryshojë diçka dhe duket se edhe ai vetë e di këtë gjë. “Pyesni kryesinë e klubit”, tha ai, kur e pyetën, nëse do të vazhdonte që të qëndronte në stolin e “neroaxurëve”.
E vetmja dilemë, tani, duket se është që ta heqin menjëherë dhe t’i paguajnë dëmshpërblimin apo të presin ndeshjet ndaj Krotones dhe Sauthemptonit, kështu që trajneri i ri të vijë, gjatë pauzës së ardhshme, që të rregullojë gjendjen e ekipit. Problemi është së për marrjen e vendimeve të këtij lloji duhet pëlqimi i pronarit nga Kina, presidentit Tohir, drejtorit Bolingburk, aksionerit Masimo Morati, drejtorit Auziliio, etj., të cilët, në fakt, kanë preferencat e tyre, por të ndryshme nga njëri-tjetri.