Uejn Runi thotë se i bëhet zemra mal që Anglia e sotme po arrin sukses pas suksesi, ndryshe nga ajo e disa viteve më parë. Ish-sulmuesi i Mançester Junajtidit shprehet edhe se nuk i vjen aspak keq, që kombëtarja e sotme duket më e mirë sesa ajo ku ai ishte kapiten apo protagonist.
Gjithsesi, pjesa më interesante dhe më e rëndë e bisedës së tij me gazetarët, është ajo ku flet për ish-shokët e tij në ekipin përfaqësues. “Unë e di se ka disa ish-lojtarë, me të cilët unë kam folur, dhe që nuk u vjen mirë që Anglia po ecën kaq mirë, – u shpreh Runi, – kjo është e gabuar dhe unë nuk jam i tillë. Sot unë jam tifoz dhe dua që Anglia të ketë sukses”.
Runi, 33-vjeçar, i dha fund karrierës në kombëtare me 120 ndeshje dhe me rekordin e golave, 53 të tillë. Ai është i lumtur që Anglia e trajnerit Sauthgejt arriti suksesin më të madh që nga viti 1990, kur skuadra e trajnerit Bobi Robson mbërriti në gjysmëfinale të Kupës së Botës.
Sfidanti.al