Kroati Luka Modriç është futbollisti i tretë nga Ballkani që merr një nga çmimet më prestigjiozë të FIFA-s, por, sidoqoftë, ai është i pari që merr çmimin e më të mirit në botë. Në të kaluarën, çmime të FIFA-s kanë marrë edhe bullgari Hristo Stojçkov (i dyti më 1992, 1994) dhe kroati Davor Shuker (i treti më 1998). Modriçit, paraprakisht, iu dha edhe çmimi i futbollistit më të mirë të Botërorit Rusi-2018 dhe ai i më të mirit për sezonin e kaluar në Evropë nga UEFA.
Nga çmimet më të rëndësishëm që kanë mbetur pa u ndarë, është ai që jepet që nga viti 1956 nga revista franceze “Frans Futboll” (në fund të vitit) dhe çmimi “Laureus” si sportisti më i mirë në botë që jepet që nga viti 2000 dhe të cilin deri tani nuk e ka fituar asnjë futbollist, ndërkohë që kandidatë për ta fituar atë kanë qenë Ronaldo Luis Nazario, Ronaldinjo, Fabio Kanavaro, Kaka, Lionel Mesi, Andres Iniesta dhe Kristiano Ronaldo.
Nga Ballkani, disa nga çmimet më të rëndësishëm në futboll nga FIFA, në Botërore dhe nga “Frans Futbolli” (nga vendi i parë deri tek i treti) i kanë marrë gjithsej shtatë futbollistë, midis tyre maqedonasi Darko Pançev (në vend të dytë nga “Frans Futbolli , në vitin 1991, së bashku me malazezin Dejan Saviçeviç dhe gjermanin Lotar Mateuz, ndërkohë që “Topin e artë” atë vit e fitoi francezi Zhan Pjer Papen. Midis të tjerëve që janë vlerësuar nga revista franceze e mësipërme, janë serbi Dragan Xhaiç (i treti më 1968), Stojçkovi (i dyti më 1992 dhe i pari më 1994), malazezi Predrag Mijatoviç (i dyti më 1997) dhe kroati Davor Shuker (i dyti më 1998).