Santos në delir kampion: Me këtë ekip do pushtoj botën!

Trajneri i Portugalisë, Fernando Santos ka deklaruar se ka besim të plotë te ekipi i tij para gjysmëfinales në Kupën e Konfederatave përballë Kilit. Trajneri i kampionëve të Evropës ka vlerësuar kurajën dhe vendosmërinë e shfaqur nga ekipi i tij. Madje, tekniku i Portugalisë ka shkuar dhe më tej me teorinë e “oreksi vjen duke ngrënë”, duke theksuar se Portugalia që ai drejton është në gjendje të fitojë jo vetëm Kupën e Konfederatave por dhe kampionatin botëror që do të mbahet vitin e ardhshëm po në Rusi.

“Unë kam besim të plotë te ekipi që drejtoj, tek lojtarët që stërvit. Unë kam besim të plotë tek lojtarët e mi, në vendosmërinë e tyre, kurajën e tyre, qëllimin e tyre për të arritur gjithnjë e më lart. Jam i bindur se me këtë lojtarë mund të shkoj deri në fundin e botës”- ka thënë trajneri i Portugalisë, Fernando Santos.

Santos ka folur dhe për përballjen me Kilin dhe Kristiano Ronaldon. “Unë pres nga Kristiano atë që ai bën zakonisht. Ai është një lojtar i shkëlqyer. Kundër Kilit do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por jemi të përgatitur për t’i shkuar deri në fund këtij turneu”- ka thënë numri një i Portugalisë.