Sa emra të mëdhenj për Arsenalin, por cili do të jetë trajneri i ri?!

Brendan Roxhers cilësohet si favorit, dhe do të ishte një kandidaturë e madhe. Ish-trajneri i Liverpulit po bën mrekulli tek Leisteri, dhe Arsenali shpreson ta bindë për të braktisur ekipin e tanishëm dhe për të marrë në dorë “skeptrin” e lëshuar përtokë nga Unai Emeri. Një teknik me autoritet dhe me përgatitje, që respektohet nga lojtarët dhe që di të arrijë rezultate, ky do të ishte më i miri për një klub që nuk gjente sukses vitet e fundit të Arsen Vengerit, dhe po ashtu gjatë viteve të Unai Emerit.

Kandidat tjetër i lakmuar është Maurisio Poçetino, por nuk dihet nëse argjentinasi do të pranonte. Ai mund të zgjedhë ndoshta Bajernin, apo ndonjë klub tjetër të madh, ndërsa nuk do të donte të mërziste tifozët e Totenhemit, duke shkuar në një rival direkt londinez. Masimiliano Alegri do të ishte po ashtu një zgjedhje e shkëlqyer, sepse ai di të punojë me lojtarë të mëdhenj, e të fitojë tituj siç ka bërë në Itali me Juventusin. Gjithsesi, Nunjo Espirito Santo i Uolvesit do të ishte emërim tepër interesant, ndërsa personalitet i madh, të paktën si futbollist është edhe ish-kapiteni Patrik Vieira.

Sfidanti.al