Transferimi i Lionel Messit te PSG në verën e vitit 2021 ishte një nga momentet më të rëndësishme të historisë së fundit të futbollit. Pas më shumë se 20 vitesh te Barcelona, ku u bë një nga simbolet më të mëdha të klubit dhe të sportit botëror, ‘ylli’ argjentinas u detyrua të largohej nga Katalunja për arsye financiare dhe administrative. Destinacioni i tij ishte Parisi, ku iu bashkua miqve dhe bashkëkombësve si Neymar, Di María dhe Leandro Paredes. Tani, katër vjet më vonë, Marco Verratti ka zbuluar detaje të pazbuluara më parë për momentin që parapriu këtë transferim historik, duke e përshkruar një ‘natë magjike’ në Ibiza, e cila rezultoi vendimtare për të bindur Messin të shkonte në Paris.
‘Më kujtohet një natë fantastike që u bë pothuajse magjike. Ishim në Ibiza, Neymar erdhi tek unë dhe më tha se atë natë do të darkonim me Messin. Kështu, përfunduam ulur në tryezë unë, Messi, Paredes, Neymar dhe Di María. Biseduam dhe u argëtuam. Dhe e bindëm, për ta thënë kështu, të vinte në Paris. Në fund të natës, u përshëndetëm dhe të nesërmen lexuam që kishte probleme mes tij dhe Barcelonës. Pastaj, në fillim të pasdites, Neymar më telefonoi dhe më tha: ‘Marco, Messi po vjen në ekipin tonë’. E pabesueshme: pas një darke me të, do ta kisha shok skuadre. Një natë magjike’, kujtoi mesfushori italian, aktualisht tek Al Duhail i Katarit, në një intervistë për ‘La Gazzetta dello Sport’.
sfidanti.al