Kriza e Artem Dovbyk tashmë është fakt i njohur, por nëntëdhjetë minutat në stol kundër Torinos e kanë shndërruar situatën në një rast të mirëfilltë. Vendimi i Gasperinit për ta lënë jashtë edhe në minutat e fundit të përpjekjes romaniste nuk lë vend për interpretime: në ato çaste skuadrës i duhej këmba dhe instinkti i një qendërsulmuesi për të kapur barazimin, por trajneri zgjodhi të hidhte në fushë Pisillin e Baldanzin (në debutimin e tyre sezonal), El Shaarawyn, jo në formën më të mirë, Fergusonin që e ka kaluar ish-sulmuesin e Gironas në hierarki dhe Celikun, që në fakt nuk është bomber. Në stol mbetën vetëm dy qendërmbrojtësit Ghilardi e Ziolkowski, dy mbrojtësit e krahut Rensch dhe Tsimikas (me vetëm një stërvitje me Gasperinin), plus Pellegrini dhe Dovbyk.
A është problem gjendjeje fizike pas ndeshjeve me kombëtaren? Nuk shpjegon mungesën e tij në minutat vendimtare kur u prishën skemat dhe nervat për barazim. Më tepër duket si problem qasjeje dhe përshtatjeje me metodat e reja të trajnerit, i cili ka dhënë disa mesazhe të qarta: “Pres shumë nga të gjithë, nga të gjithë lojtarët që kanë mbetur këtu. Roma është e rëndësishme, sezoni që duhet bërë. Nuk mund të flas për çështje individuale, secili duhet të japë maksimumin. Kam folur me Dovbyk si me të gjithë të tjerët. E pyeta cilat janë tiparet e tij më të mira. Ai më tha: loja brenda zonës, forca, thellësia. Shumë mirë, le të nisim nga këto tre. Duhet t’i shoh të gjitha, në nivel. Jam i bindur që do të bëjë mirë”.
Pas humbjes me Torinon, Gasperini dha një tjetër sinjal: “Sot nuk kam menduar kurrë ta aktivizoja. Tani kemi një javë kohë. Kur të hysh, dua të të shoh të përqendruar. Dua të shoh stërvitje shumë aktive, dinamike dhe të bindur. Pastaj do ta riprezantojmë”.
Me pak fjalë, trajneri e ka qartësuar situatën dhe tani qendërsulmuesi e di çfarë e pret: punë e fortë, fizike dhe mendore. Ndjesia është se Dovbyk nuk po jep maksimumin për t’u integruar sa më mirë në skuadër. Qëndrimi i tij është profesional, por ajo që ngre dyshime është karakteri pak luftarak në fushë që e çon në gabime të rënda: nga kontrolli i topit, te pasimet për shokët e skuadrës e deri te finalizimi. Dhe duke qenë se sezonin e kaluar nuk arriti të shënojë në asnjë ndeshje të madhe dhe në 14 ndeshje nuk goditi asnjëherë portën, problemi karakterial del edhe më i fortë. Gasperini shpreson që mesazhet e tij (apo shigjetat) ta stimulojnë për të ndryshuar qasje që këtë javë. Në çdo rast, titullar në derbi është larg, por nëse hyn nga stoli dhe bën diferencën, mund të fitojë një shans të dytë në fanellën verdhekuqe. Gjithçka është në duart e tij.
sfidanti.al