Real Madrid kryeson renditjen e markave më të vlefshme në botë

Reali i Madridit, për të tretin vit radhazi, është klubi që ka markën më të vlefshme dhe më të fortë në botë. Sipas raportit të Brand Finance, marka e 15 herë kampionëve të Evropës për vitin 2026 ka një vlerë prej 2.4 miliardë eurosh, duke shënuar një rritje prej 25% krahasuar me vitin e kaluar. Menjëherë pas “Los Blancos” pozicionohet një tjetër gjigant i futbollit spanjoll, rivalët e përjetshëm të Realit, Barcelona, marka e së cilës ka një vlerë prej rreth 2 miliardë eurosh.

Brand Finance, në studimin e saj, pasqyron rritjen rekord të biznesit të markave të mëdha të futbollit. 50 markat më të vlefshme arrijnë së bashku në 23.9 miliardë euro, duke shënuar rritjen më të madhe vjetore që nga fillimi i hartimit të këtij klasifikimi 15 vjet më parë. Dhjetë klubet e para zotërojnë pothuajse dy të tretat e kësaj vlere, me një total prej 14.9 miliardë eurosh.

Reali i Madridit nuk kryeson vetëm për vlerën ekonomike, por edhe për forcën e markës së tij, me 95.8 pikë nga 100, shifra më e lartë mes 281 klubeve të analizuara. Në këtë vlerësim janë marrë parasysh niveli ndërkombëtar i klubit, tifozeria, historia, prania e futbollistëve të njohur dhe aftësia për ta shndërruar prestigjin sportiv në atraksion komercial.

Barcelona, nga ana e saj, mban vendin e dytë, me markën që ka shënuar një rritje prej 15% për të arritur një vlerë totale prej 2 miliardë eurosh. Sipas Brand Finance, një pjesë e mirë e kësaj rritjeje i atribuohet rikthimit të skuadrës në Spotify Camp Nou pas më shumë se dy vitesh dhe dy titujve të fituar radhazi në La Liga.

Reali i Madridit dhe Barcelona kanë krijuar një hendek të konsiderueshëm me pjesën tjetër të klubeve. Arsenali plotëson podiumin me një vlerë marke prej 1.5 miliardë eurosh, duke regjistruar një rritje prej 28%. Me këtë rezultat, “Topçinjtë” e Londrës janë klubi që ka ngjitur më shumë pozicione në klasifikim, plot pesë vende, pasi vitin e kaluar renditej në vendin e tetë. Në rritjen e vlerës së markës së Arsenalit ndikuan fitimi i titullit në Premier League pas 22 vitesh pritje dhe arritja deri në finalen e Ligës së Kampionëve.

Pas Arsenalit pozicionohet Bayern Munich me një vlerë prej 1.5 miliardë eurosh, duke shënuar një rritje prej 21%, i ndjekur nga kampionët e Evropës, Paris Saint-Germain. Klasifikimi vijon me Manchester City, Liverpool dhe Manchester United, ndërsa dhjetëshen e klubeve me markat më të vlefshme e plotësojnë Chelsea dhe Borussia Dortmund, respektivisht në vendin e nëntë dhe të dhjetë.

Sa i përket kampionateve, sipas Brand Finance, Premier League angleze është kompeticioni kombëtar me markën më të vlefshme në botë. Pas saj renditet La Liga, e cila lë pas Bundesligën gjermane, Serie A italiane dhe Ligue 1 franceze.