De la Fuente, Federata Spanjolle synon ta mbajë trajnerin përtej vitit 2030

Federata Spanjolle e Futbollit ka nisur punën për zgjatjen e kontratës së trajnerit Luis de la Fuente, me synimin që tekniku i kombëtares të qëndrojë në detyrë edhe përtej vitit 2030. Presidenti i federatës, Rafael Louzán, konfirmoi se tashmë kanë nisur bisedimet për rinovimin e kontratës së De la Fuentes, e cila aktualisht skadon në vitin 2028. “Po punojmë për zgjatjen e kontratës që Luis de la Fuente ka deri në vitin 2028, për ta çuar atë përtej ose rreth vitit 2030. Ai duhet të jetë pjesë e këtij projekti”, deklaroi Louzán në një intervistë për RNE.

Presidenti i federatës vlerësoi maksimalisht punën e trajnerit, duke theksuar se thjeshtësia dhe përkushtimi i tij kanë qenë faktorë të rëndësishëm në sukseset e fundit të Spanjës. “Luis de la Fuente është trajneri me më shumë tituj në kategoritë e ndryshme të futbollit spanjoll. Thjeshtësia dhe aftësia e tij për të punuar na kanë ndihmuar të arrijmë këtë sukses, së bashku me një grup të paharrueshëm lojtarësh”, tha Louzán.

De la Fuente ka fituar një sërë trofesh me Spanjën dhe tashmë federata dëshiron ta lidhë të ardhmen e projektit të kombëtares me të për një periudhë më të gjatë. Ndërkohë, Louzán foli edhe për Kupën e Botës 2030, e cila do të organizohet nga Spanja, Portugalia dhe Maroku. Ai ishte i qartë për dëshirën që finalja e turneut të zhvillohet në Spanjë. “Nuk do të kuptohej ndryshe përveçse Spanja të ishte vendi që do të priste finalen e atij Botërori”, u shpreh presidenti i federatës.

Sipas tij, Spanja dhe Portugalia kanë një peshë të rëndësishme në organizimin e Botërorit 2030, ndërsa kombëtarja spanjolle vjen në këtë periudhë si kampione e botës si në futbollin e meshkujve, ashtu edhe në atë të femrave.