Pyetja e madhe: Barcelona do ta fitojë kurrorën e trefishtë?

Barcelona ka për të zhvilluar edhe një ndeshje para pauzës dyjavore lidhur me ndeshjet e përfaqësueseve, ndërkohë që deri tani sezoni i ka ecur mirë klubit katalonjas. Barcelona ndodhet në krye të La Ligës shtatë pikë para Aletikos së Madridit dhe 12 pikë para Realit të Madridit, ndërkohë që ajo ka siguruar kualifikimin për në çerekfinale të Ligës së Kampioneve (LK) dhe pjesëmarrjen në finale të Kupës së Mbretit së Spanjës.
Në fakt, shumë gjëra të kujtojnë vitin 2009, kur Barça fitoi kurrorën e parë të trefishtë. Ashtu si edhe para 10 vitesh, Anglia tani ka katër ekipe në çerekfinale të Ligës së Kampioneve, ndërkohë që Barcelona luajti me Lionin në 1/8-tën e finaleve dhe në ndeshjen e kthimit shënoi pesë gola dhe ka mundësi që në finale të ketë përsëri përballë si kundërshtar Kristiano Ronaldon me ekipin e tij, kësaj here Juventusin. Ashtu si edhe në atë sezon, Barcelona edhe tani e mundi dy herë Realin e Madridit në kampionat.
Sfidanti.al