Liverpuli duket në një “pole position” të fortë në garën për titull në Premier Ligë, por e gjitha kjo mund të kthehet edhe në një “bumerang” nëse të kuqtë vetëkënaqen. Këtë thekson edhe qendërmbrojtësi Virgil Van Dajk, që u bën thirrje shokëve të mos shohin tabelën, por vetëm t’i marrin ndeshjet një e nga një.
“Deri tani ne i kemi fituar pikët, – u shpreh ai për “Skaj Sports Njuz” (Sky Sports News), – gjithsesi, ne ende kemi çfarë të përmirësojmë, dhe mendoj se duhet të përqëndrohemi tek ndeshja e radhës, të mos e kemi mendjen tek diferenca me Sitin e të tjerët, apo pikët që kemi marrë deri tani”. Holandezi shton se “do të ketë periudha të vështira dhe të ngarkuara, sidomos në dhjetor e janar, e gjithçka mund të ndodhë”.
Pep Guardiola, ndërkaq, ka ende besim se skuadra e tij mund ta mbrojë titullin. “Unë i njoh lojtarët e mi, – u shpreh ai, – diferenca vërtet është e madhe, kjo është e qartë, dhe pati shumë rrethana që Liverpuli nuk humbi pikë. Sidoqoftë, është më mirë të mos mendojmë se cila skuadër është 8 pikë përpara, sepse jemi vetëm në tetor. Djemtë e mi do të bëjnë maksimumin për të luftuar për titullin, më vjen keq vetëm për faktin se luajtëm dobët, herët e tjera kemi luajtur shumë mirë edhe kur nuk kemi fituar”.
Sfidanti.al