Policia ishte aty, por po flasim për polici europiane. Një patrullë e vetme as nuk bëri ndonjë veprim për të penguar tifozët e Mançester Junajtidit që të shpërthenin në kompleksin stërvitor të ekipit, të zemëruar nga vendimi i pronarëve për të krijuar Superligën. Ishin disa dhjetëra prej tyre që hynë në “Karrington” dhe u përballën madje edhe me trajnerin Ole Gunar Solskjer.
Ata e kritikuan teknikun norvegjez, sepse ai nuk kishte folur hapur kundër Superligës Europiane, ashtu siç bënë Guardiola apo Klop. Sipas mediave angleze, Solskjer e mbrojti familjen Glejzër duke thënë se pronarët e duan Mançester Junajtidin, dhe kjo nuk u pëlqeu tifozëve. Protesta e përkrahësve të “djajve të kuq” erdhi pas atyre të Lidsit, Liverpulit dhe Çelsit, që në përfundim shkaktuan dështimin e projektit. Trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardiola, ishte një nga ata që foli më qartë që në fillim.
“Sporti nuk mund të quhet më sport nëse nuk ka lidhje mes asaj që bën në fushë dhe shpërblimit që merr, – tha ai, – nuk mund të quhet më sport kur suksesi është i garantuar që në fillim, kur nuk ka rëndësi nëse humbet. Unë dua garën më të fortë të mundshme, le të themi Premier Ligën, por jo që suksesi të jetë i garantuar për shumë pak klube”.
Tekniku katalanas padyshim që ndihet shumë i lidhur me Premier Ligën, ku ekipi ka dalë dy herë kampion nën drejtimin e tij në 2018 e 2019, dhe është shumë pranë titullit të tretë në 4 vjet. Fitorja 2-1 në fushën e Aston Vilës e ngjiti në kuotën e 77 pikëve kur duhen edhe 5 ndeshje deri në fund, ndërsa Mançester Junajtid në vend të dytë ka 66 pikë.
Sfidanti.al