Celsi titullmbajtës i Premier Ligës fitoi një ndeshje të vështirë kundër Stok Sitit, në fushën e këtij të fundit, madje, me rezultat të thellë. Fitorja dhe tri pikët kurrë nuk u vunë në dyshim gjatë të gjithë ndeshjes dhe meritën kryesore për këtë e kishte futbollisti spanjoll, Alvaro Morata. Asnjë lojtar tjetër në ligën kryesore angleze nuk është përfshirë në më shumë gola në gjashtë raundet e parë të Premier Ligës sesa ky futbollist 24-vjeçar që ka shënuar gjashtë gola dhe ka dhënë edhe dy pasime golash.
Morata erdhi në “Stemford Brixh” për të zëvendësuar golashënuesin Diego Kosta që, tani, është kthyer tek Atletiko e Madridit. Tifozët nuk kanë ndjerë asnjë ndryshim mbas largimit të futbollistit brazilian me pashaportë spanjolle (Kosta), përkundrazi, Morata është bërë beniamini i tyre më i madh. Morata kryeson listën e golashënuesve në Premier Ligë, bashkë me Agueron dhe Lukakun, me gjashtë gola.
Me siguri që Reali i Madridit dhe trajneri Zidane janë penduar që, për herë, të dytë u “çliruan” nga shërbimet e Moratës që do të ishte një zgjidhje e shkëlqyer për problemet që ka tani klubi “mbretëror” në sulm.
Sfidanti.al