Zllatan Ibrahimoviçi, edhe zyrtarisht, nuk është më anëtar i Mançester Junajtidit, njoftoi ky klub anglez në profilin e vet zyrtar në Twitter. Futbollisti suedez po largohet nga “Old Traffordi” mbas vetëm pesë ndeshjesh, të zhvilluara gjatë këtij sezoni. Ibra që, dikur ka qenë futbollisti më i mirë i Junajtidit, në prill të vitit të kaluar, pësoi një dëmtim të rëndë në gju, duke u detyruar që të bëjë një pauzë të gjatë. Ai luajti për “djajtë e kuq” 53 ndeshje zyrtare dhe shënoi 29 gola, ndërsa dha 10 pasime golash. Kontrata e Ibrahimoviçit, në fakt, është deri në fund të këtij sezoni, por të dyja palët ranë dakord që ta ndërprisnin bashkëpunimin mes tyre para kohe.
Futbollisti suedez legjendar e ka përfunduar karrierën e tij me përfaqësuesen e Suedisë, por, sidoqoftë, ka spekulime se ai mund ta veshë përsëri bluzën e përfaqësueses së vet dhe të marrë pjesë në Mundialin e Rusisë. Në planin e klubeve, si destinacion i radhës i Ibrës përmendet klubi LA Galaksi në SHBA.
Sfidanti.al