Siti, kujt i duhet fitorja me Liverpulin, kur pëson 9 humbje në sezon?!

Pep Guardiola e mbylli ndeshjen në “Sent Meri” duke kruajtur kokën, pa mundur të gjente një zgjidhje. Ndoshta, ai e ka një përgjigje, të cilën nuk dëshiron ta thotë, veçse mund t’i duket e pamundur që ta ndryshojë “rënien e lirë” të skuadrës së tij. Mançester Siti u mund 0-1 në fushën e Sauthemptonit në Premier Ligë, e treta humbje radhazi jashtë shtëpie në kampionat, dhe e 9-ta këtë sezon. Këto, padyshim që, nuk janë shifra që i takojnë një skuadre që pretendon të fitojë titullin.

Një gol i vetëm i Çe Adamsit ndau dy skuadrat, madje ai u shënua shpejt, në 16’, e yjet e Sitit patën gjithë kohën e nevojshme për të reaguar, por siç duket mendimi i tyre kishte mbetur tek fitorja famëmadhe 4-0 ndaj Liverpulit pak ditë më parë. Veçse, kujt i hyn në punë kjo fitore, kur pëson 9 humbje në Premier në një edicion të vetëm? Guardiola, për momentin, shqetësohet më shumë për fatin e gjyqit në KAS, pasi një dënim 2-vjeçar nga Europa do të thoshte shkatërrim i sigurt për ekipin e tij. Nga kjo varet edhe se çfarë do të bëjë vetë Pepi në të ardhmen, dhe sesa do të përpiqet Siti që të përforcohet për sezonin e ardhshëm.

Sfidanti.al