Federata e Futbollit Anglez konfirmoi dënimet për 3 lojtarë të Mançester Sitit, që mund të ndikojnë në përgatitjet e ekipit të Pep Guardiolës për ndeshjet e ardhshme në Premier League. Trioja me influencë e “Sitizens”, Serxhio Aguero, Fernandinjo dhe Nikolas Otamendi do të vuajnë respektivisht 4, 3 dhe 1 ndeshje pezullim.
Argjentinasi do të qëndrojë në një “pit stop” të detyruar për 4 ndeshje, pas kartonit të kuq që meritoi në humbjen me Çelsin. Ndërhyrja horror e Agueros në këmbët e David Luiz në “Etihad Stadium”, sigurisht që nuk mund të falej nga disiplina. Kështu sulmuesi i njohur do mungojë në ndeshjet ndaj Leiçester, Uatfordit, Arsenalit dhe Hullit.
Ndërkohë mesfushori Fernandinjo u dënua 3 ndeshje, pasi shtyu spanjollin Fabregas mbi reklamat anës fushës, në incidentin që pasoi ndërhyrjen e Agueros. Së fundmi, po jo më pak i rëndësishmi, Otamendi nuk do të luajë në formacionin e Sitit, pasi u ndëshkua me karton në sfidën e fundit, i verdhi i pestë sezonal i argjentinasit.