Dikur ishte një trajner i suksesshëm dhe i respektuar tek Evertoni. Më pas, Dejvid Mojes “dalldisi” dhe vendosi të provonte fatin tek Mançester Junajtidi, por nuk i doli asgjë e mirë si pasardhës i Sër Aleks Fergusonit. U desh të kalonin shumë vite për të rigjetur identitetin dhe duket se tekniku skocez po e bën këtë me Uest Hemin. Fitorja 4-1 në fushën e Aston Vilës e ngjiti ekipin londinez në vendin e katërt në Premier Ligë, në zonën Champions baraz me Mançester Sitin. Klubi i “çekiçave” nuk e ka fuqinë financiare të Sitit, të Çelsit, Junajtidit apo të Liverpulit, por padyshim as atë të Totenhemit dhe Arsenalit, por për momentin është duke “fluturuar”. Ben Xhonson, Deklan Rajs, Pablo Fornals dhe Xherrod Bouen ishin autorët e golave në “Vila Park”.
Sfidanti.al