Sër Aleks mund të jesh i qetë, Man. Junajtidi po bëhet sërish i madh!

Natyrisht, duhet ecur ngadalë dhe nuk duhet të nxitohemi, por shenjat janë ato të duhurat. Jo vetëm sepse Mançester Junajtidi ka mundur këtë sezon Totenhemin, Çelsin e Mançester Sitin si dhe ka barazuar me Liverpulin, por edhe sepse shpejt pritet të ketë përforcime të rëndësishme. Familja Glejzërs, pronare e klubit, duket se është kandisur të nisë që të shpenzojë për t’i dhënë mundësi trajnerit Ole Gunar Solskjer që të ketë një skuadër konkurruese për trofe të mëdhenj.

Planet janë për të afruar sulmuesin e Salcburgut, Haland, po ashtu yllin e Atletikos së Madridit, Saul Nigez (lojtar i kombëtares së Spanjës), si dhe për të zëvendësuar Pol Pogbanë me mesfushorin e Ajaksit, Doni Van de Bek. Shpenzimet mund të përballoheshin në pjesën më të madhe edhe nga transferimi i Pogbasë tek Reali, pasi për kartonin e kampionit të botës mund të jepeshin edhe 150 milionë euro, të paktën.

Solskjer synon të mbajë edhe boshtin e skuadrës që përbëhet nga portieri De Gea, mbrojtësi i qendrës Megajer, mesfushori Mektominej si dhe sulmuesit Rashford e Marsial. Një skuadër e tillë jep shpresë që të luftojë më në fund për të fituar Premier Ligën për herë të parë që nga viti 2013, dhe për të provuar edhe fitoren e Championsit.

Sfidanti.al