Salah e Mane mund të largohen? Liverpuli do të fitojë një pasuri me ta!

E tregoi mjeshtërinë me transferimin e Filip Kutinjos, dhe Jurgen Klopi mund ta bëjë përsëri. Ndoshta ka ardhur koha e ndryshimeve në “Anfild”, pas disa vitesh suksesesh me të njëjtit yje dhe Mohamed Salah apo Sadio Mane mund edhe të largohen. Për sulmuesin egjiptian, këtë e dyshon dhe e pohon ish-mbrojtësi i Mançester Junajtidit, Geri Nevil, që thotë se “Salah po e shfrytëzon Liverpulin si trampolinë për të hedhur hapin e madh në karrierë, tek Reali apo Barcelona”. Nëse kjo do të ndodhte, anglezët mund të fitonin shumë më tepër sesa shpenzuan për ta marrë nga Roma, pra ndoshta 130-150 milionë euro në krahasim me 37-38 milionë euro që paguan atëherë.

Ndryshe është situata e Manesë, sidomos nëse do ta kërkonte Barcelona. Katalanasit, do të ishin të detyruar të paguanin 270-280 milionë euro (225 milionë paundë stërlina), pasi e tillë është klauzola pas transferimit të … Kutinjos në “Kamp Nou”. Sipas kësaj klauzole, katalanasit do të ishin të detyruar të paguanin 89 milionë paundë stërlina (rreth 105-110 milionë euro) mbi çmimin e kartonit të Manesë në treg.

Me këto para, Klopi do të kishte mundësi të financonte lojtarët e tij të rinj, nga të cilët përmbenden Timo Verner i Lajpcigut, Xhejdën Sanço i Dortmundit dhe Milot Rashica i Verderit. Të tre së bashku, mund të kushtonin rreth 200 milionë euro, pra shumë më pak sesa vetëm kartoni i Manesë.

Sfidanti.al