Në Bundesligë u bë i njohur me Hanoverin e Altin Lalës, ndërsa pastaj me Shalken fitoi Kupën e Gjermanisë dhe doli i dyti në kampionat. Me Lajpcigun ndihmoi Nagelsmanin dhe Hazenhytlin, ndërsa Tomas Tuheli ka marrë frymëzim dhe ide prej tij. Futbolli i Ralf Rangnikut, trajnerit të ri të Mançester Junajtidit, cilësohet “heavy metal”, si ai i Jurgen Klopit, ndonëse “profesori” kurrë nuk ka drejtuar një skuadër me të vërtetë të madhe. Nuk dihet sesa punë do t’i prishë kjo 63-vjeçarit, ndërsa dikur ka qenë kandidat i fortë për të qenë trajner i Anglisë, Çelsit dhe Evertonit, po ashtu i Milanit. Tifozët e “djajve të kuq” janë të lumtur me zgjedhjen e klubit, por thuhet se sistemi i tij i lojës mund t’i prishë punë Kristiano Ronaldos. Kjo sepse, Rangniku kërkon presing të lartë dhe të ashpër nga ekipet e tij, diçka që CR7 nuk mund ta bëjë për shkak të moshës.
Sfidanti.al