Premier League; të vegjlit kundër rënies nga kategoria

Pavarësisht deklaratve për unitet dhe harmoni, klubet në Premier League duket se janë të përcarë mes tyre. Skuadrat  kryesore dëshirojnë që të përfundojnë sezonin, ndërsa ato që janë në vendet e fundit të klasifikimit po ushtrojnë presion që kampionati anglez të mos fillojnë, pasi kështu do të mund të evitojnë rënien një kategori më poshtë.

Ndërsa të gjithë janë në pritje të linjave të guidës së Fazës 2 të emergjencës shëndetësore që qeveria britanike do ta prezantojë brenda kësaj fundjave, duket se rifillimi i Premier Leagues nuk është më aq i sigurt. U duk se ishte arritur një akord mes 20 klubeve, por sipas tabloidit britanik ‘Daily Mail’ vetëm një ditë më pas u shfaqën diferencat e mëdha mes interesave të klubeve të mëdha dhe të vogla.

Klubet me më shumë tituj duan që të luajnë 92 ndeshjet e mbetura për të garantuar rregullsinë e sezonit që do të vijojë edhe me përcaktimin e skuadrave pjesëmarrëse në kompeticionet evropiane në sezonin e ardshëm. Por  nga ana tjetër, të paktën 6 klube janë të përfshirë në luftën për mbijetesë dhe këto të fundit nuk kanë ndërmend të zbresin në fushën e lojës.

Me anulimin e sezonit, qëndrimi i tyre në Premier League do të garantohej edhe për sezonin e ardhshëm duke ruajtur të ardhurat e majme të siguruara nga shitja e të drejtave televizive. Janë këto përplasje interesash që rrezikojnë që të sabotojnë të ashtuquajturin ‘Project Restart’, që është plani i futbollit anglez për t’u rikthyer në aktivitet  brenda gjysmës së parë të muajit qershor.

Sfidanti.al