Pesë herë trajner i muajit? Klopi ka 13 muaj që s’mundet në Angli!

Gjatë gjithë këtyre viteve, Pep Guardiola është mësuar të thotë se, po të kishte qenë për të, ai do t’ia kishte dhënë Topin e Artë, Lionel Mesit, çdo vit. Një gjë e ngjashme duhet thënë për Jurgen Klopin, i cili duhej ta kishte fituar çmimin e trajnerit të muaj në Premier Ligë për 13 muaj radhazi, pasi po kaq muaj ka skuadra e tij që nuk mundet në kampionat. E fundit herë ishte në fillim të janarit të vjetshëm, në fushën e Sitit, që mezi e mundi 2-1.

Kjo vlen të kujtohet pikërisht tani, kur trajneri i Liverpulit e fitoi këtë çmim për të pestën herë këtë sezon, duke thyer rekordin e Pep Guardiolës për çmimet në një sezon. Katalanasi i Mançester Sitit e fitoi 4 herë çmimin në 2017-2018, kur edhe doli kampion i Anglisë. Klopi mund ta kishte fituar gjashtë herë në 6 muaj këtë edicion, por një herë të vetme ia mori Frenk Lampardi i Çelsit. Besohet se ai do ta fitojë edhe herë të tjera deri në maj, pra do ta rrisë edhe më shumë rekordin personal dhe do ta shtojë diferencën me Guardiolën.

Sfidanti.al