Nuk je në Champions? Nuk të do askush, as Aleksis Sançez

Pak rëndësi ka nëse do të jetë lojtar i Mançester Sitit, Bajernit, Juventusit, Interit apo Paris SG. Aleksis Sançez është thuajse i sigurt se do të largohet nga Arsenali, dhe arsyeja e vetme është ajo që kanë gjithë kampionët e tjerë. Sulmuesi nga Kili nuk dëshiron të ulë standardet e karrierës dhe të zbresë në Ligën e Europës. Ai dëshiron të jetë në Champions dhe vetëm në Champions. Kjo e ka motivuar që t’i thotë trajnerit të Arsenalit, Arsen Venger, se e ka ndarë mendjen për të ardhmen.

“Dua të luaj në Champions dhe ta fitoj atë, jam ende tek Arsenali dhe kontrata ime përfundon sezonin e ardhshëm”, – thotë ylli i Kilit, nënkampion i Kupës së Konfederatave. Këto fjalë janë një paralajmërim për londinezët, pasi vitin e ardhshëm mund ta humbasin Sançezin me parametër zero, ndërsa këtë verë të paktën mund të nxjerrin diçka prej tij, dhe kjo diçka do të thotë 50 milionë euro të paktën.

Sfidanti.al