Londra është një qytet që mund të mburret me numrin më të madh të stadiumeve, gjë që, në fakt, edhe nuk duhet të të habisë, pasi kryeqyteti i Britanisë ka pesë klube që luajnë në Premier Ligë. Në kushtet, kur futbolli anglez ndiqet nga një numër në rritje tifozësh, vetkuptohet se klubet londinezë, duke synuar që të sigurojnë fitime sa më të mëdha, kanë ndërtuar, po ndërtojnë dhe kanë në plan që të ndërtojnë stadiume të rinj modernë edhe më të mëdhenj. I pari akullin e theu Arsenali që stadiumin e vet “Hajberi” e zëvendësojë me atë “Emirati”, sipas shoqërisë ajrore arabe që ka të njëjtin emër dhe që e bleu të drejtën për t’i vënë emrin e vet stadiumit, duke paguar 100 milionë sterlina. Kështu, falë kapacitetit prej mëse 60 000 vendesh dhe biletave të shtrenjta, ky stadium me vlerë prej 390 milionë sterlinash ka filluar që t’i shlyejë shpenzimet e bëra.
Ndërkohë, edhe Uest Hemi ka kaluar në stadiumin e ri “London stadium”, ndërkohë që Totenhemi po ndërton një stadium të ri modern me mbi 61 000 vende dhe me vlerë prej 750 milionë sterlinash.
Por, sidoqoftë, projektin më ambicioz nga të gjithë e ka pronari i Celsit, Roman Abramoviç, që ka angazhuar zyrën arkitekturore zvicerane “Herzog & De Meuron” që ta vejë në zbatim projektin në fjalë që parashikon rikonstruktimin dhe rritjen e kapacitetit të stadiumit ekzistues “Stemford Brixh”, ku Celsi luan që nga themelimi i tij, pra, që nga viti 1877!
Arkitektët zviceranë kanë bërë një projekt të shkëlqyer, një staidum me një dizajn shumë të ndryshëm nga ata të tjerët, një të tillë me një formë të parregullt me 264 shtylla, të inspiruar nga arkitektura gotike e Abacisë së Uestminsterit, me një vlerë të përgjithshme prej mëse 1 miliard sterlinash, por… realizimi i këtij projekti ka hasur në një pengesë serioze – familjen Skrostuait që jeton pranë stadiumit “Stemford Brixh” prej më shumë se 50 vitesh. Kjo familje thotë se stadiumi me formën e tij të re do të pengonte që drita e diellit të hynte në shtëpinë e saj, duke kërkuar ndalimin e realizimit të projektit ambicioz në fjalë! Sidoqoftë, megjithëse Celsi për projektin e tij të ri ka marrë leje ndërtimi nga kryetari i Bashkisë së Londrës, ky klub, që të mos t’ia lejë asgjë rastësisë, ka kërkuar ndërhyrjen e këshillit komunal lokal që t’i hapë rrugën rindërtimit të stadiumit, ndërsa, sikurse thuhet, ka nisur bisedimet me familjen e lartpërmendur Skrostuait që “kërkon diell”, për ta zhdëmtuar atë financiarisht.
Sfidanti.al