Tifozët e Liverpulit kujtojnë pafund emrat e mëdhenj si Bill Shenkli, Bob Pejsli, Kevin Kigan apo Keni Dalglish. Gjithsesi, përveç tyre, ata mbajnë në zemër një tjetër personazh, nga ata të përjetshmit me një fanelë. Roni Moran ndërroi jetë në moshën 83-vjeçare, ndërsa ishte i vetmi njeri që shërbeu tek të kuqtë që nga viti 1949 deri në 1998. Askush gati gjysmë shekulli si ai, askush me 44 trofe të mëdhenj nga të cilët 7 si lojtar.
Nga roli si futbollist kaloi në atë si trajner në 1965, dhe fitoi 13 tituj kampion, 5 kupa të Anglisë, 4 Champions (kupa e kampionëve atëherë), 2 Kupa UEFA dhe një Superkupë të Europës. Ai u mbiquajt “Mister Liverpul” për angazhimin e tij gjysmëshekullor, për mënyrën tejet profesionale me të cilën punoi me trajnerët Shenkli, Pejsli, Fagan apo Dalglish, aq sa të gjithë thoshin se Liverpuli në atë kohë të kujtonte Barcelonën e sotme, ku nuk mund ta mbaje topin gjatë në zotërim, pasi Moran ulërinte “pasoje”.
Ai kurrë nuk kënaqej as me fitoret 5-0, ai merrej me stërvitjen, anën psikologjike, por edhe me fizioterapinë dhe masazhin, pra me gjithçka. Roni Moran ishte vërtet “Mister Liverpuli” dhe skuadra e drejtuar nga Jurgen Klop mbajti një minutë heshtje në fushën e stërvitjes në kujtim të gjigandit që tani nuk është më.
Sfidanti.al