Nga Ranieri tek Roxhersi, Leisteri sërish në krye të Premier Ligës!

Të na falin Mançester Junajtidi, Liverpuli e Mançester Siti, pasi sot duam të flasim për një emër krejt të veçantë të futbollit anglez, Leisterin. Skuadra vërtet modeste e Anglisë, pasi habiti gjithë botën me titullin e fituar në 2016 me Klaudio Ranierin, u ngjit sërish në krye të Premier Ligës, tashmë nën drejtimin e trajnerit tjetër, Brendan Roxhers. Ish-tekniku i Liverpulit, që humbi pa fat titullin me Liverpulin në 2014, ndoshta ëndërron që ta fitojë me “dhelprat”. Fitorja 2-0 ndaj Çelsit ia dha një tjetër konfirmim Roxhersit se skuadra e tij mundet.

Golat u shënuan nga Uilfred Ndidi dhe Xhejms Medison që në pjesën e parë, ndërsa Blutë e Londrës me kaq shumë pretendime në fillim të sezonit, tani janë në “rënie të lirë”. Po ashtu, në rënie të lirë janë aksionet e trajnerit Frenk Lampard në bursën e futbollit, ndërsa gjithkush e di se Çelsi nuk është nga ata klube që kanë shumë durim me njerëzit e stolit. E kanë provuar Murinjo, Granti, Di Mateo, Ançeloti, Benitezit apo edhe Konte. Çelsit i mungoi vendosmëria në pjesën e parë dhe krijimtaria pas pushimit. Lampardi la në stol Timo Vernerin për Tamo Abrahamin, por as kjo nuk ndryshoi gjë, ndërsa Leisteri pati në fushë lojtarë shumë të mirë si portieri Shmajkel, sulmuesin Xhemi Vardi e shumë të tjerë. Leisteri ka 38 pikë në 19 ndeshje, Mançester Junajtid ka 37 në 18 ndeshje, Man. Siti ka 35 në 17 ndeshje dhe Liverpuli 34 në 18 ndeshje.

Sfidanti.al