Murinjo nis luftën psikologjike: Liverpul, i madh vetëm me trofe!

Përvoja i thotë që të mos dorëzohet kurrë, edhe pse po lufton në “dy fronte”. Zhoze Murinjo ka probleme të jashtëzakonshme brenda ekipit të tij, Mançester Junajtid, ndërsa duhet të përballojë këtë fundjavë edhe një problem më vete, sfidën ndaj Liverpulit në “Anfild”. Trajneri portugez, gjithsesi, është në gjendje ta mbajë veten, të paktën në dukje, dhe të bëjë lëvizjet e duhura para ndeshjes së madhe të Premier Ligës.

“Liverpuli duhet të dijë se do të quhet skuadër e madhe vetëm nëse fiton trofe, – u shpreh ai, duke nisur qartazi luftën psikologjike me Jurgen Klopin dhe të besuarit e tij, – mendoj se trofetë janë ata që kanë vlerë. Klop ka shpenzuar mbi 250 milionë paund stërlina këtë verë, pra ai duhet të fitojë trofe”.

Një goditje mjeshtërore, ndonëse kolegu i tij gjerman mund ta përballojë dhe t’i japë përgjigjen e merituar. Murinjo është një sukses në Angli, pasi ka fituar tre tituj kampion me Çelsin, plus Kupën e Anglisë, tri herë Kupën e Ligës dhe një herë Superkupën, ndërsa me Mançester Junajtidin ka fituar Kupën e Ligës, Superkupën e Anglisë dhe Ligën e Europës.

Klop, një trajner padyshim i madh, ka humbur tri finale në 3 vjet tek Liverpuli, atë në Ligën e Europës ndaj Seviljes, në Champions ndaj Realit dhe në Kupën e Ligës përballë Mançester Sitit.

Sfidanti.al