Duket se “lufta verbale” mes trajnerëve Zhoze Murinjo të Mançester Junajtidit dhe Antonio Konte të Celsit nuk ka fund. Konte reagoi ndaj deklaratës së Murinjos se disa kolegë të tij sillen si klounë dhe bëjnë shou pranë vijës anësore, duke aluduar për Konten dhe Klopin e Liverpulit. “Më duket se ai (Murinjo) e ka harruar se çfarë bënte vetë te vija anësore. Nuk më kujtohet mirë sesi quhet kjo gjendje e trurit, kur njeriu harron, por, më duket se quhet dementia (harresë ose sklerozë) pleqërie!”, deklaroi Konte, duke i kujtuar Murinjos sesi sillej ai te vija anësore, kur drejtonte Porton dhe Interin.
Sigurisht që, shumë shpejt, erdhi edhe përgjigja e Murinjos: “Po, është e vërtetë, unë kam bërë gabime në të kaluarën. Ndoshta, do të mund të bëjë gabime përsëri, megjithëse më pak. Por ajo që mua nuk më ka ndodhur asnjëherë dhe nuk do të më ndodh në të ardhmen, është që unë të dënohem për shitblerje ndeshjesh!”.
Sa për kujtesë, Murinjo, me këtë rast, solli ndërmend rastin, kur Konte, si trajner i Sienës, u akuzua se nuk bëri asgjë që të pengonte fiksimin paraprak të ndeshjeve së ekipit të tij. Konte u përfshi në një aferë fiksimi paraprak të ndeshjeve në sezonin 2010/11, kur Siena, atëkohë në Serinë B, arriti të kualifikohej për në Serinë A, duke u pezulluar katër muaj. Por, sidoqoftë, me vendim të Gjykatës së Kremonës, më 2016, Konte u shfajësua dhe u lirua nga akuzat për fiksime paraprake rezultatesh të ndeshjeve.
Sfidanti.al