Murinjo: Bajerni i fiton titujt, duke blerë lojtarët më të mirë të Dortmundit!

Zhoze Murinjo thotë se klubet angleze kanë një fuqi të madhe financiare, por, megjithatë, ata nuk mund të dominojnë, ashtu sikurse bën Bajerni i Mynihut në Gjermani. Në një prononcim të tij në “Frans Futboll”, ai vuri në dukje së është e vështirë që të përsëritet suksesi i ser Aleks Fergusonit që ka fituar 13 tituj të Premier Ligës gjatë 21 viteve në krye të Mançester Junajtidit. “Në Angli, klubet  janë shumë të fuqishëm, nga ana financiare, në tregun e transferimeve që është i hapur për të gjithë. Kurse, në Gjermani, është ndryshe. E dini sesi i fiton, çdo vit, titujt e kampionit të Bundesligës Bajerni i Mynihut?

Në verë, para fillimit të sezonit, ata blejnë lojtarin më të mirë të Borusias së Dortmundit. Në fillim, ishte Gëce, pastaj Levandovski, kurse tani Humelsi”, thotë “speciali”, duke shtuar se “unë kam ardhur në një klub të madh dhe me histori të pasur, por është e pamundur që të përsëriten sukeset e së kaluarës dhe të fitohen trofetë, ashtu sikurse fitoheshin më parë. Asnjë klub në Angli, qoftë Mançester Junajtidi, Liverpuli ose Mançester Siti, nuk mund të dominojë”, thotë Murinjo.

sfidanti.al