Mosmirënjoje kampione: Luajti 11 vite, Uest Hem e largon me e-mail?!

Si një veprim krejt amattoresk, madje, edhe i paedukatë mund të konsiderohet vendimi i kryesisë së Uest Hemit për të larguar nga ky klub anglez mbrojtësin Xhejms Kolins që luajti plot 11 vite me të. Ky sezonin ishte i fundit për Kolinsin, të cilit i mbaroi kontrata dhe kryesia e këtij klubi të Premier Ligës nuk kishte ndërmend që ta vazhdonte atë dhe… Në fakt, nuk është hera e parë se vjen një kohë që klubi dhe lojtari ndjekin secili rrugën e vet, pra ndahen. Por ishte e pazakontë dhe e paparë që Kolinsi e mori vesh largimin e tij përmes e-mailit!

Askush tek Uest Hemi nuk pati kurajën që ta shihte në sy dhe t’i thoshte Kolinsit se atij i erdhi fundi në këtë klub. Në klube të tjerë, me rastin e largimit të një lojtari që ka luajtur shumë vite me të, organizohen ceremoni ose evente solemne që ta përcjellin atë, kurse veprimi i kryesisë së Uest Hemit mund të konsiderohet i ashpër dhe i pasjellshëm.

Kolinsi “shërbeu” tek Uest Hemi 11 vite, në fakt, në dy kohë. Herën e parë, ai erdhi nga Kardifi në këtë klub, më 2005, kur ishte vetëm 22 vjeç dhe qëndroi atje pesë vite. Mbasi iu shit për pesë milionë sterlina Aston Vilës, ai u kthye, më 2015, me një çmim dy herë më të ulët, por, që atëkohë, ai ka qenë një nga lojtarët më standard në ekip. Por, siç duket, në Uest Hem nuk ka rëndësi vlera e besnikërisë, kështu që atij iu tregua dera e daljes përmes postës elektronike!

Sfidanti.al