Minamino, biznesi i janarit që mund t’i japë “krahë” Liverpulit!

Në fillim të vitit, Jurgen Klop ka treguar se ka frymëzime të veçanta. Pikërisht në janar, trajneri i Liverpulit mori Filip Kutinjon për rreth 10 milionë euro (e pastaj e transferoi në Barcelonë për 150 milionë), dhe po afër asaj periudhë u mor edhe japonezi Takumi Minamino. Ky i fundit kushtoi vetëm rreth 8.6 milionë euro, “badihava” për standardet e Premier Ligës, veçse mediat britanike shkruajnë se ai mund të jetë një “goditje drejt e në shenjë” për Klopin.

Minamino luan pak a shumë në rolin e Roberto Firminos, pra i pëlqen të jetë prapa dy sulmuesve për t’i ndihmuar ata që të shënojnë. Salah e Mane duket se do të ketë “furnizim” më shumë se më parë. Edhe nëse Klop luan me të njëjtën skemë dhe hedh Firminon titullar, ai do të ketë nevojë për “mbulim” pasi sezoni është i gjatë, në Premier Ligë, në Champions dhe në Kupën e Anglisë. Ekziston edhe një mundësi tjetër për Klopin, skema 4-2-3-1, në të cilën Firmino do të luante qendërsulmues, Salah e Mane në krahë dhe Minamino në mes tyre. Nëse në mbrojtje dhe në mesfushë erdhën përforcime, sulmi kishte vetëm treshen kryesore, pasi Origi nuk mund të quhet aq i besuar. Minamino mbush hapësirën e lënë nga Daniel Starrixh, ndërsa i riu Rian Brujster mund të jepet huazim.

Sfidanti.al