Mançester Siti kualifikohet në kupë me kapitenin Zinçenko

Shiritin duhej ta kishte mbajtur veterani Fernandinjo, një nga legjendat e gjalla të skuadrës. Në Kupën e Anglisë, trajneri Pep Guardiola bëri disa ndryshime në formacion, duke lënë në stol De Brujnin, Laporten, Bernardo Silvën, Rahim Stërlingun apo Xhon Stounsin, ndërsa në 11-en titullare ra në sy fakti që kapiten i ekipit ishte Oleksandr Zinçenko. Ukrainasi e mori detyrën nga Fernandinjo, duke u respektuar pikërisht për faktin se atdheu i tij është i sulmuar nga ushtria ruse. Emocionet ishin të mëdha në stadiumin e Peterborout, ku Siti fitoi 2-0 me golat e shënuar në pjesën e dytë nga Rijad Mahrez në 60’ dhe Xhek Grilish në 67’. Kjo ishte ndeshje e raundit të pestë të Kupës së Anglisë dhe Mançester Siti u kualifikua për në çerekfinale.

Sfidanti.al