Man. Junajtid si Interi, ikja nga Championsi e bën kandidat për titull!

Fitorja në fushën e Shefild Junajtidit nuk ishte aspak e lehtë, por ku mund të ketë të tilla në Premier Ligë? Mançester Junajtidit, papritur e sheh veten në lartësitë e mëdha të kampionatit anglez vetëm pak ditë pas eleminimit nga Champions, dhe të besuarit e trajnerit Solskjer po kthehen nga të tallur në njerëz seriozë. Markus Rashford më në fund u bë hero duke shënuar dy gola, ndërsa Antoni Marsial shënoi një tjetër me “djajtë e kuq” që përmbysën epërsinë e parë të vendasve. Goli i dytë i Dejvid Mekgoldrikut bëri që minutat e fundit të ishin elektrizuese në “Bramall Lejn”.

Për të gjashtë herë radhazi në Premier Ligë jashtë fushe, Junajtidi përmbysi rezultatin duke fituar. Për fat të keq, nuk e bëri dot këtë gjë në Lajpcig në Champions, kur u ndodh në 0-3 përpara se të shënonte dy gola në vetëm 2 minuta. Skuadra e Solskjerit ka tani 23 pikë në 12 ndeshje, ndaj 28 e 25, përkatësisht të Liverpulit e Totenhemit që kanë luajtur një ndeshje më shumë. “Ne luajtëm një futboll të madh pas pësimit të golit, e deri sa pësuam golin e dytë, – tha Solskjeri, – minutat e fundit ishin me shumë shpërqëndrim për shijet e mia. Jam i lumtur që Marsiali e shënoi golin e tij, pasi ne kemi nevojë për golat e të tre sulmuesve. Nuk mund të mendojmë për shumë larg, por jam i kënaqur nëse lojtarët e mi mendojnë në atë mënyrë (për titullin), sepse kjo do të thotë se kanë besim tek vetja”.

Sfidanti.al