I kanë mbetur edhe 10 muaj kontratë, pra praktikisht ka përfunduar gjithçka. Pol Pogba mund të jetë shumë lehtë lojtar i lirë, dhe Mançester Junajtidi të humbasë një shifër të madhe që pretendonte ta fitonte nga kartoni i tij. Kampioni i botës u afrua për mbi 90 milionë euro nga Juventusi, dhe në “Old Traford” kërkuan 150 milionë paundë stërlina kur u diskutua interesimi i Realit për të. Tashmë, është vetë mesfushori që flet qartë. “Po, çdo lojtar në botë do ta kishte ëndërr të luante një ditë për Realin e Madridit, – tha ai nga grumbullimi i kombëtares franceze, – është një ëndërr për mua, pse jo një ditë!”
Junajtid mund të pranonte që ai të largohej, por do të donte një shifër të lartë financiare, por kjo mund të ndodhë vetëm në rast rinovimi. “Askush nuk ka folur me mua, – thotë Pogba, – nuk kam folur me Ed Uduordin. Nuk kemi folur për kontratë të re. Unë gjithsesi jam lojtar i Mançester Junajtidit dhe e dua klubin. Po kënaqem dhe dua që të fitoj”. Këto fjalët e fundit mund të quhen “konsumi” pasi i thotë çdo futbollist, por faktet flasin më shumë se fjalët.
Sfidanti.al