Se kush është favorit për ta marrë kjo dihet, Reali i Madridit, por klubet e tjerë nuk i kanë humbur shpresat për Kilian Mbapenë. Mediat britanike njoftojnë se i fundit në garë ka hyrë edhe Liverpuli, me trajnerin Jurgen Klop që ka pasur kontakt me agjentin e talentit të ri francez. Klop e di se pengesa për të kuqtë nuk është tek financat, pasi klubet kryesore angleze i kanë xhepat plot, por tek aspekti sportiv. Sa do të ishte bindës projekti i Liverpulit në krahasim me atë të Realit apo Mançester Junajtidit, ndërsa në garë janë edhe Arsenali me Mançester Sitin?
Reali nuk mund të konkurrohet përveçse nëse vetë lojtari i Monakos nuk pranon, ndërsa Klop është i bindur se mund të rivalizojë denjësisht me klubet në Angli. Ai i ofron 18-vjeçarit një rrogë të lartë, pjesëmarrje në Champions dhe një vend si titullar dhe si qendërsulmues, diçka që tek Reali nuk mund të jepet automatikisht, pasi aty ndodhen Ronaldo dhe Benzema. Sezonin që u mbyll Mbape shënoi 26 gola dhe shërbeu 14 asistë në 44 ndeshje, me mesatare goli çdo 101 minuta. Kjo bëri që vlera e tij të shkojë të paktën 115 milionë euro, ndërsa verën e kaluar Arsenali mund ta kishte marrë vetëm për 300 000.
Sfidanti.al