Me gjatë ai nuk ishte gati për të drejtuar një skuadër të ndërtuar për të fituar titullin. Shpenzimet prej 250 milionë eurosh në verë sikur ishin si “dopiot e rakisë” për një njeri të pamësuar me gjëra të tilla dhe Frenk Lampard duket se nuk e përballoi dot presionin. Dakord, Blutë e Londrës zhgënjyen dhe nuk vlejtën Timo Verneri apo Kai Haverci, po ashtu trajneri nuk ishte shumë popullor në dhomën e zhveshjes, po ashtu u përplas me shefen e fuqishme Marina Granovskaja. Ndoshta Roman Abramoviç nuk pati zgjidhje tjetër, por një president dhe pronar i tillë, që u bë miliarder në një mënyrë të rrufeshme në Rusi dhe që padyshim ka mendim shumë të lartë për veten, duhej të ndjente më shumë respekt për atë që quhet si lojtari më i madh në historinë e Çelsit. Shkarkimi i Frenk Lampardit nuk i bëri nder londinezëve dhe me gjasë as Tomas Tuhel nuk do të jetë “magjistari” që të ndryshojë historinë në “Stemford Brixh”.
Sfidanti.al