Lampard, heroi i Çelsit është në provë në “Stemford Brixh”

Vlerësimi i një trajneri bëhet nga disa elementë, por ndër më të rëndësishmit është rroga. Frenk Lampard po pritet si hero nga tifozët e Çelsit, veçse duket se pronari i klubit, Roman Abramoviç, po tregohet më shumë realist sesa entuziast. Sa i suksesshëm mund të jetë ish-mesfushori në “Stemford Brixh”? Kjo është një enigmë, dhe dyshimin e miliarderit rus e shpreh rroga prej 5 milionë paundë stërlinash që i është dhënë 41-vjeçarit (ose 5.5, sipas tabloidit “San”), nga të cilat 4 milionë janë rroga bazë, dhe pjesa tjetër si shpërblime.

Lampard ishte një legjendë si lojtar tek Çelsi, duke fituar çdo trofe të mundshëm në Angli dhe në Europë, me trajnerë si Murinjo, Ançeloti, Hidink, Benitez apo Di Mateo, por kuptohet përvoja e tij është ende mjaft e vogël. Ai ka vetëm 1 vit karrierë në stolin e Derbi Kauntit, të cilin e udhëhoqi deri në finalen e plej ofit për në Premier Ligë. Rroga e tij nuk do të jetë nga më të mëdhatë në Angli, pasi Guardiola merr 20 milionë paundë stërlina në vit, Poçetino 8.5 milionë, Klop e Solskjer nga 7.5 milionë, Pelegrini 7 dhe Emeri 6 milionë paundë stërlina. Lampard pritet të firmosë një kontratë 3-vjeçare.

Sfidanti.al