Tek Napoli është bërë një problem dhe Karlo Ançeloti nuk po e aktivizon sa duhet, edhe pse skuadra e tij ka impenjim vetëm në Serinë A. Cila do të jetë, pra, e ardhmja e Lorenco Insinjes, lojtarit ndoshta më të talentuar në kombëtaren e Italisë, sot për sot? Një zë thotë se Liverpuli do ta provojë, dhe kjo mund të dalë e vërtetë, edhe pse trajneri Jurgen Klop, hodhi “ujë të ftohtë”.
“Insinje ka një kontratë afatgjatë me Napolin, – u shpreh gjermani, – ndaj, ne as nuk do ta provojmë. Ai është një lojtar shumë i mirë, por ne nuk do ta marrim”. Flitet se Liverpuli ka bërë një ofertë prej 70 milionë eurosh, por napolitanët besohet se e vlerësojnë yllin e tyre deri në 150 milionë, ndërsa kontrata e Insinjes shkon deri në 2022. Gjithsesi, është thuajse e sigurt se Klopi do të synojë të forcojë repartin e sulmit për sezonin e ardhshëm, për të konkurruar më mirë me Sitin.
Sfidanti.al