Klop, vërtet do lesh parajsën e klubeve për “pensionin” e Gjermanisë?!

Që mund të mos zgjasë kontratën, kjo është e ditur dhe nuk përbën lajm. Gjithsesi, që Jurgen Klopi të braktisë jetën e trajnerit të klubit, për t’u bërë teknik kombëtareje, kjo është diçka e re. Spekullim apo diçka me bazë reale, këtë do ta tregojë vetëm koha, por lajmet nga Gjermania dhe Anglia janë që Federata Gjermane e Futbollit po mendon pikërisht për Klopin, si pasardhës të Joakim Lëvit. Trajneri i tanishëm i “manshaftit” mund të largohet për pak vjet, ndërsa patriotit të tij i përfundon kontrata në “Anfild” në 2022.

Deri tani, është lënë të kuptohet që Klop mund të mos vazhdojë në Liverpul pas 2022-it për shkak të lodhjes profesionale, ndoshta edhe për shkak të klimës, por jo sepse do të zgjidhte Gjermaninë. Tekniku liverpulas është ende i ri, dhe i tillë do të jetë edhe në 2022, ndërsa detyra në kombëtare gjithnjë e më shumë shihet si një lloj pensionimi për trajnerët. Pak besohet që të ndodhë ky skenar, ndonëse një kombëtare si Gjermania është diçka e madhe. Gjithsesi, Klop mund të kishte shanse të tjera si Bajernin, Barcelonën apo Realin!

Sfidanti.al