E shtuna e 2 nëntorit 2019 do të mbahet mend gjatë në futbollin anglez, pasi dy skuadrat më të forta u dukën si dy ekipe “ordinere” përballë kundërshtarëve shumë më modestë. Liverpuli dhe Mançester Siti ishin vënë me shpatulla pas muri, duke qenë në humbje, e duke vuajtur. Nëse ekipi i Guardiolës ia doli pak më shpejt (duke qenë në fushën e tij), ai i Klopit e pati shumë më të vështirë.
Në përfundim, të dy gjigandët fituan dhe gazetarët mezi pritën që Klopi të jepte konferencën e tij të veçantë, të zakonshme për shtyp. Trajneri gjerman nuk zhgënjeu. “Goli i shënuar nga Sadio Mane ishte emocioni më i mirë i mundshëm në futboll, – tha ai me sinqeritet, – jam i lumtur që pata mundësi ta provoja diçka të tillë. Gjithsesi, në pjesën e parë ne ishim si fëmijë. Futbolli ynë nuk ishte i keq, ishte i bukur, por ne ishim si fëmijë, jo si luftëtarë, ndryshe nga Aston Vila. Për fat, pas pushimit ne ishim siç duhet dhe merituam fitoren”.
Konferenca e Guardiolës ishte më “normale”. Katalanasi deklaroi se Siti luajti shumë mirë nga fillimi deri në fund, pavarësisht se pësoi gol, se krijoi shumë raste për gol, se luajti shpejt dhe se lojtarët bënë gjithçka që duhej bërë. Diferenca mes dy ekipeve mbetet 6 pikë në favor të Liverpulit, dhe të dielën e ardhshme, Mançester Siti viziton “Anfildin”.
Sfidanti.al