Është një nga trajnerët që ka fituar më shumë se të gjithë dhe e vërtetoi instinktin që ka për trofetë duke arritur finalen e katërt radhazi në Kupën e Ligës në Angli. Pep Guardiolën duket sikur e ndjekin nga pas sukseset, ndërsa paralajmëron Premier Ligën se skuadra e tij është kthyer. “Skuadra jonë është gati dhe paraqitja ishte e jashtëzakonshme, – tha tekniku katalanas pas fitores në “Old Traford”, – ramë pak në pjesën e dytë sepse ndjemë lodhjen e ndeshjes në fushën e Çelsit, por kur kemi këtë mentalitet mund të arrijmë gjithçka. Jam shumë i mahnitur që kemi arritur katër finale radhazi”. Guardiola theksoi se Sitit iu desh kohë për të kapur formën e duhur. “Nuk patëm një fazë përgatitore siç duhet, – u shpreh ai, – për këtë arsye nuk ishim gati që në fillim. Ne jemi aty ku duhet. Finalja nuk është javën tjetër, do të vijë në kohën e duhur dhe ne do të jemi gati. Totenhemi është një skuadër e madhe, por nuk duhet të mendojmë tani për këtë”.
Sfidanti.al