Ikin Karrik e Felaini, Murinjo mendon yjet e rinj të mesfushës

Që nga Reali e deri tek Napoli, janë klubet të cilëve Zhoze Murinjo mendon t’u marrë ndonjë lojtar. Trajneri i Mançester Junajtidit ka nisur të bëjë plane pasi ka vendosur që dy prej mesfushorëve të tij më të rëndësishëm të mos u rinovojë kontratën dhe t’i largojë në verë. Bëhet fjalë për Majkëll Karrikun, tashmë tepër të vjetër, dhe Maruan Felainin, që dëshiron të largohet. Po ashtu, Zhoze dëshiron të rrisë konkurrencën për Pol Pogbanë dhe Huan Matën.

Cilët janë emrat që ka piketuar portugezi? Gazeta “Deili Meil” bën një listë ku futen edhe ylli i mesfushës së Realit, Toni Kros, kampion i botës me Gjermaninë, por edhe Sergej Milinkoviç-Saviç i Lacios (të cilin besohet se e kërkon edhe Reali), apo ish-objektivi i Barcelonës, Zhan Miakel Seri i Nisës.

Bie në sy fakti se, të paktën sipas listës së tabloidit londinez, çmimi i kartonave të lojtarëve nuk është shumë i lartë, me përjashtim të serbit të Lacios, që shkon në 90 milionë. Gjithsesi, këto janë vetëm parashikime, pasi Reali nuk do ta lejonte Krosin të largohej lehtë, dhe po ashtu do të bënte Napoli me Zhorzhinjon apo Totenhemi me Uanajamën, për të mos folur për “armikun” Konte të Çelsit që nuk do të pranonte kurrë të humbiste Uillianin.

Lista e Murinjos

Zhan Mikael Seri, Nisë, 40 milionë euro

Sergej Milinkoviç-Saviç, Lacio, 90 milionë euro

Zhorzhinjo, Napoli, 40 milionë euro

Toni Kros, Real, 35 milionë euro

Viktor Uanajama, Totenhem, 45 milionë euro

Uillian, Çelsi, 45 milionë euro

Sfidanti.al