Trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardioola, mbas humbjes 4-3 ndaj Liverpulit, i uroi kundërshtarët për fitoren e merituar. Ai, edhe një herë tjetër, deklaroi se Premier Liga vazhdon që të mbetet një garë e hapur dhe se është ende herët për të thënë se kush do të jetë fituesi i saj, pasi rruga është e gjatë.
“E uroj Liverpulin për fitoren e tij që ai e meritoi. Ne mund të bënim diçka, kur rezultati ishte 1-1, por, mbas një kohe të shkurtër, semafori tregoi 4-1. Ne nuk luajtëm mirë, sot, dhe jemi të detyruar që t’i shqyrtojmë mirë këto situata, pasi kemi ende shumë ndeshje deri në fund të kampionatit”, vuri në dukje Guardiola, duke shtuar:
“Të gjithë thonë se kampionati ka mbaruar, duke qenë se ne kemi një epërsi të madhe pikësh. Unë, gjithnjë, kam thënë se asgjë nuk ka mbaruar, sepse ka edhe shumë ndeshje deri në fund të tij. Ne, nga ana jonë, do të bëjmë gjithçka që ta ruajmë qëndrimin tonë në krye të tabelës dhe do t’i kushtojmë rëndësi çdo ndeshjeje”, tha Guardiola.
Sfidanti.al