“Fiksimi” Champions, por Liverpuli rrezikon Championsin tjetër!

Mund të quhet shumë, shumë afër gjysmëfinales së këtij sezoni në Ligën e Kampionëve. Liverpuli i trajnerit Jurgen Klop padyshim që është i lumtur pas fitores 3-0 në çerekfinalen e parë ndaj Mançester Sitit, veçse sezoni mund të njolloset nga një dështim jo edhe aq i vogël në Premier Ligë.

Barazimi i sotëm 0-0 në fushën e Evertonit, bëri që të kuqtë të kenë 67 pikë në 33 ndeshje, pozicion i cili nuk të garanton plotësisht kualifikimin direkt për në Champions sezonin e ardhshëm. Sipas formatit të tij, Anglia do të ketë 4 ekipet e vendeve të para të vendosura drejt e në fazën e grupeve, pa nevojën e plej ofit, veçse Liverpuli mund ta rrezikojë vendin e katërt. Kjo, pasi Çelsi ka dy ndeshje më pak të luajtura, dhe nëse i fiton që të dyja, mund të arrijë në 62 pikë, pra të ketë shanse matematike të konkurrojë me ekipin e Klopit.

Trajneri gjerman, gjithsesi, vendosi të bëjë rotacion në “Gudison Park”, duke mbajtur pushim Salahun e dëmtuar, Firminon (hedhur në pjesën e dytë), Okslejd-Çembërlenin (gjithashtu aktivizuar në pjesën e dytë) apo Aleksandër-Arnoldin. Në formacion ishin Klajn, Klavan, Vajnaldum, Henderson, Ings e Solanke.

Sfidanti.al