Shqiptari i Zvicrës më në fund u aktivizua në një ndeshje që kishte tepër vlerë, dhe tregoi veten. Xherdan Shaqiri ishte një nga njerëzit që merituan më shumë lavdërime pasi Liverpuli mundi 2-1 Uest Hemin në “Anfild”, pasi shërbeu asistin e golit të fitores, dhe ndihmoi që të barazohej një rekord legjendar, ai i 63 ndeshjeve radhazi pa humbje në kampionat. Humbja e fundit ndodhi në 23 prill 2017 (1-2 ndaj Kristël Palasit), ndërsa rekordin e ndan me Liverpulin e famshëm të Bob Pejslit të periudhës shkurt 1978-dhjetor 1981.
Sukses i rëndësishëm edhe pse të kuqtë pësojnë shumë gola, 15 deri tani në vetëm 7 ndeshje, aq sa Çelsi kishte pësuar gjatë gjithë sezonit në 2004-2005 kur u shpall kampion me Murinjon. Gjithsesi, kjo mund të quhet e pranueshme sepse trajnerit Jurgen Klop i mungojnë qendërmbrojtësit Van Dajk e Matip, si dhe mesfushori i përshtatur si qendërmbrojtës, Fabinjo. Në qendër luajtën Xho Gomez (që bëri gabimin fatal për golin e pësuar) dhe i riu Nataniel Filips. “Ai luajti shumë mirë dhe unë jam shumë i lumtur”, – tha Klopi.
Mohamed Salah barazoi me penallti të diskutuesme, ndërsa Diogo Zhota shënoi golin e tretë në 3 ndeshje, pas asistit të Shaqirit. Në përfundim të ndeshjes, Zhota, Shaqiri dhe Filips u shpallën si 3 lojtarët më të mirë të ndeshjes. Liverpuli është në krye të renditjes me 16 pikë në 7 ndeshje, ndonëse rivalët mund të afrohen sepse kanë luajtur më pak ndeshje, si Totenhemi, Siti, Junajtid, Aston Vila, Leisteri apo Evertoni.
Sfidanti.al