Edhe Van Dajk gabon? Liverpuli, gjithsesi di vetëm të fitojë!

Pas ndeshjes në Mynih sërish u ngritën në qiell “hosanatë” për të. Virgil Van Dajk është jo vetëm mbrojtësi më i shtrenjë në botë, por edhe më i lavdëruari dhe Liverpuil, padyshim, është me fat që e ka, veçse edhe ai mund të gabojë. Si njeri prej mishi e gjaku, edhe holandezi bëri një dhuratë krejt të pazakonshme në fushën e Fulhamit, duke i dhënë mundësi vendasve që të barazonin rezultatin në 1-1. Ish-lojtari i të kuqve, Rajan Babel, i dha një goditje të madhe ekipit ku luajti për disa vjet, veçse jo fatale.

Jo më kot, trajneri Jurgen Klop thoshte me bindje se skuadra e tij ishte e pjekur sa duhet për të luftuar për titull deri në fund, dhe se ishte në gjendje të përballonte tronditjet e forta. Liverpuli fitoi 2-1 dhe u rikthye në krye të Premier Ligës me dy pikë më shumë se Mançester Siti, veçse me një ndeshje më shumë të luajtur. Kampionët u angazhuan në Kupë këtë fundjavë, ndaj do ta luajnë më vonë takimin e tyre.

Njeriu i momentit, Sadio Mane, shënoi golin e parë për miqtë në minutën e 26-të, ndërsa Xhejms Milner ishte autor i rrjetës që vendosi ndeshjen, 9 minuta para fundit. Ai nuk gaboi nga pika e 11-metërshit, fituar gjithashtu nga Mane. Nuk ishte ndeshja më e mirë e Liverpulit, dhe vështirë që të ishte pas shpenzimit të madh të energjive për kualifikimin në Champions ndaj Bajernit. Në Angli thonë se paraqitje të tilla quhen “bukë e gjalpë” dhe janë karakteristika të skuadrave të forta që meritojnë të fitojnë tituj. Liverpuli ka 76 pikë në 31 ndeshje, ndaj 74 të Sitit që ka luajtur 30.

Sfidanti.al