Ç’të ka hipur në kokë Granit, sa shumë gabime nga 2016-ta!

Të paktën është rekordmen në diçka, edhe pse është negative. Granit Xhaka, mesfushori dhe shpesh herë kapiteni i Arsenalit, ka bërë më shumë gabime në tri sezonet e fundit sesa çdo lojtar tjetër i Premier Ligës, dhe flasim për gabime që kanë sjellë gola kundërshtarë. Kjo u kujtua, ku shqiptari i Zvicrës shkaktoi penallti në favor të Totenhemit, në derbi, pas një ndërhyrjeje të pakujdeshme dhe të nxituar në zonë. Ai rrëzoi koreanojugorin Son, duke u hedhur me takat e të dyja këmbëve të ngritura, gjyqtari dha 11-metërsh, dhe Harri Kejn shënoi për 2-0.

“Largojeni Xhagën që në pushim të ndeshjes”, – ishin thirrjet e një pjese të tifozëve të Arsenalit ndërsa derbi vazhdonte në “Emirejts”. Mediat britanike “gërmuan” të dhënat dhe gjetën se Xhaka ka bërë 7 gabime që kanë sjellë gola kundërshtarë në 3 sezonet e fundit, duke qenë i pari në këtë listë të palavdishme, e duke lënë pas të tjerët si Frensisin e Bornemuthit (5), Otamendin e Sitit (4) apo Shkodran Mustafin, ish-të Arsenalit (3).

Sfidanti.al