Çelsi, është apo jo ne shitje? Abramovic tani kërkon 3.3 miliardë Euro

Roman Abramovic duket se e ka marrë seriozisht mundësinë e shitjes së Çelsit, klub të cilin e ka në zotërimin e tij prej 15 vitesh. Sipas ‘Bloomberg’ të specializuar në fushën e financave dhe biznesit, manjati rus tashmë ka kërkuar ndihmën e Raine Group në Nju Jork për gjetjen e një blerësi për klubin e njohur londinez.

Sipas ‘Bloomberg’, pretendimi i Avbramovic për klubin e tij është i madh, 3.3 miliardë Euro, një shifër kjo vërtet shumë e lartë duke marrë parasysh edhe vlerën që kanë në treg klubet më prestigjioze se vetë Çelsi. Javë më parë Abramovic pati mundësinë për ta shitur Çelsin teksa në zyrat e tij erdhi një ofertë prej 2.3 miliardë Paund, por që ai e refuzoi pasi kërkon që pas 15 vitesh ai të marrë frytet e këtij investimi.

Çelsi ka shënuar jo pak suksese në epokën Abramovic. Blutë e Londrës kanë mundur të fitojnë 5 tituj në Premier League, 1 ligë Kampioonesh, 1 Europa league, 5 FA Cup, 2 Community Shield, dy Kupa të Ligës, ndërkohë që në radhët e tij kanë luajtur dhe luajnë futbollistë të një niveli të lartë, si dhe kanë punuar trajnerë si Murinjo, Anceloti apo Konte.

sfidanti.al