A mundet që Zhoze Murinjo ta fitojë titullin me Totenhemin?

Nëse do të ndodhë, do të jetë një nga sukseset më të mëdha të futbollit anglez. Jo se Spërsat janë një klub i varfër, përkundrazi vetë stadiumi i tyre ultramodern flet për të kundërtën, por po flasim për një skuadër që nuk ka dalë kampione e Anglisë që nga viti 1961, dhe nuk ka fituar asnjë trofe që nga 2008-ta. Maurisio Poçetino iu afrua më shumë se të gjithë suksesit, duke dalë në katërshe të Premier Ligës disa herë, e në finale të Championsit dy sezone më parë.

Zhoze Murinjo, tepër i kritikuar dhe i dukur si tepër i lodhur për vite me radhë, ndoshta e ka “ndezur” sërish “zjarrin” brenda vetes. Totenhemi ka 10 pikë në renditje, 3 më pak se Evertoni, ka shënuar më shumë gola se çdo skuadër tjetër në Premier Ligë, ndërsa loja po shkëlqen me Harri Kejnin që po shënon radhazi, dhe me koreanojugorin Son që është gjithashtu i frymëzuar. Ekipi është i fortë me kapitenin Joris, spanjollin Regilon, Hëjbjergun, Sonin, Uinksin, Bejlin, Kejnin, Lamelën, Erik Dajerin, Sisokonë, Lo Selson, Dele Alin, Orienë, Lukas Mourën, Ndombelenë, Zhedson Fernandesin e të tjerë. i mungon përvoja për të fituar, por këtë e ka Murinjo. Nëse tek Çelsi ktheu titullin në 2004, për herë të parë që nga 1955-sa, tek Spërsat mund ta kthejë titullin për herë të parë që nga 1961-shi.

Sfidanti.al